STAG

Përmbyllet me sukses punëtoria zhvillimore e FPPK-së

 Federata e Pingpongut e Kosovës ka përmbyllur me sukses punëtorinë zhvillimore, e cila u mbajt në Shëngjin nga data 29 deri më 31 gusht, me pjesëmarrjen e kryetarëve, trajnerëve dhepërfaqësuesve të klubeve të pingpongut nga mbarë vendi.Kryetari Oruçi i hapi punimet e punëtorisë zhvillimore e cila u realizua në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Zhvillimit të Federatës së Pingpongut.

Në këtë Punëtori zhvillimore u trajtuan 5 shtyllat kryesore: 1. Ngritja e cilësisë; 2. Ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm, qeverisja e mirë, integriteti dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore; 3. Përmirësimi i organizimit të garave vendore dhe ndërkombëtare; 4.Pingpong diplomaci, dhe 5. Masovizimi & pingpong në shkolla dhe komunitet.

Qëllimi i dytë i kësaj Punëtorie ishte thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku të dy Bordet Ekzekutive diskutuan për të ardhmen e pingpongut dhe realizimit të aktiviteteve konkrete përgjatë viteve 2025–2030, përfshirë organizimin e Ligës së Përbashkët dhe garave mbarëkombëtare.

Në ditën e parë u trajtuan temat kyçe për të ardhmen e sportit të pingpongut në vend, përfshirë organizimin e kampionateve dhe sistemit të garave, rritjen e numrit të kampeve/grumbullimeve në vitin aktual dhe vitet e e ardhshme, projektet zhvillimore për periudhën 2025–2030, regjistrimet dhe afatet kalimtare, si dhe shtrirjen e pingpongut në shkolla, komunitet dhe zbulimin e talenteve të reja.

Në ditën e dytë, fokusi kryesor ishte te ndryshimet statutore dhe ri-organizimi i Federatës, sponsorizimet dhe burimet e financimit, si dhe bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri.Përgjatë punëtorisë të gjithë anëtarët e Federatës punuan në grupe dhe i shëndërruan diskutimet në 5 objektivat strategjike të Federatës të cilat do të pasohen me masat dhe veprimet konkrete të zbërthyera në Planin e Veprimit të Strategjisë së Federatës.

Federata e Pingpongut e Kosovës falënderon të gjithë pjesëmarrësit për gatishmërinë, diskutimet e frytshme dhe kontributin e dhënë, duke shpresuar që aktivitete të tilla të përsëriten së shpejti për të forcuar edhe më shumë zhvillimin e pingpongut në vend.