Denat Makolli, një nga talentët e rrallë që e ka Kosova. Një 9 vjeçar, që koka e tij mezi arrin të duket mbi nivelin e tavolinës, luan pingpong si një lojtar i pjekur. Vogëlushi nga Prishtina, për një periudhë shumë të shkurtër ka arritë me shfaqë talentin e tij që premton shumë. Dhe, trajner e ka babain e tij, lojtar i njohur për pingpongdashësit në Kosovë, Milot Makolli. Makolli ka punuar individualisht me Denatin që nga fillimi dhe ka arritë që për një kohë afër një vjeçare t’ia mësojë shkathtësitë themelore teknike. Por, ajo që tërheq vëmendjen te Denati nuk është vetëm teknika, por lehtësia dhe butësia me të cilën i bën lëvizjet, si dhe të kuptuarit e mirë të lojës, vendosja, përzgjedhja e goditjeve adekuate në situate e caktuara. Të gjitha këto, nuk mund të kalojnë pa u vërejtur nga të gjithë ata që e njohin lojën e pingpongut, madje ai i ka mahnitur edhe trajnerët dhe ekspertët pjesëmarrës nga Regjioni, në turneun e Herceg-Novit, ku mori pjesë më 15 dhe 16 Qershor.
Në Hercegnovi, Makolli garoi në kategorinë e kadetëve të rinj (U11) dhe atë të kadetëve (U15). Në kategorinë më të re, ai luajti shumë bukur dhe me meritë arriti deri në finale. Edhe në kategorinë më të lartë se mosha e tij aktuale, ai i mundi disa kundërshtarë për të zënë vendin e tretë. Sigurisht që ky është një fillim i mbarë, andaj nga ai pritet shumë në të ardhmen. Shpresojmë që në të do të investohet dhe ai të zhvillohet në lojtar të nivelit ndërkombëtar.