Me plot atraksion dhe surpriza, ka përfunduar edhe dita e tretë e WTT Youth Contender Prishtina 2025. Gjatë ditës u zhvilluan ndeshjet për U15, U19 dhe U11 për të përfunduar me finalet e çifteve mikse.
Dy kosovarët Olti Behluli dhe Erlis Dacaj, falë paraqitjeve të shkëlqyera, arritën të renditen të parët në grupin e tyre. Behluli mposhti bullgarin Daniel Ganev me rezultat të pastër 3:0, ndërsa Dacaj fitoi 3:2 ndaj bullgarit Kamen Stoyanov.
Në grupin e 16 më të mirëve, gjithashtu u kualifikuan edhe Imran Duraki, Ubejd Idrizi, Amant Sejdiu, Muhammed Mudut dhe Rejan Krasniqi.
Ndeshjet më emocionuese ishin ato të U11 ku Kosova po përballej me Bullgarinë në dy tavolina. Arijon Krasniqi pati një përballje të fortë me Emil Popov nga i cili arriti të fitonte një set por u mposht me rezultat 3:1. Me rezultat 3:0, u mposhtën edhe Arti Maroshi, Denat Makolli dhe Det Konushevci, të cilët, përkundër përpjekjeve, nuk arritën të kalojnë në gjysmëfinale.
Nga ana tjetër, Zana Bllaca ishte shumë afër fitores ndaj kundërshtares Martina Golosmanova, megjithatë u mposht me një rezultat 3:2 duke e humbur mundësinë për një vend në gjysmëfinale. E veçantë e këtyre ndeshjeve, ishte edhe atmosfera në tribuna, ku brohoriteshin emrat e sportistëve favoritë.Dita u përmbyll me finalet e çifteve mikse U15 dhe U19 të cilat dhuruan mjaft spektakël.
Në finalet U15, u përballën Jacom Huang nga Australia dhe Ll Yen- Yueh nga Taipei me anglezin Kacper Piwowar dhe italianen Maria Picu.Këta të fundit arritën të fitojnë me rezultat 3:1.
Në U19, pati një super përballje të lojtarëve nga Korea dhe Japonia. Koreanët Yoo Yerin dhe Kwon Hyuk, arritën të mposhtin 3:2 japonezët Misuzu Takeya dhe Ryuusei Kawakami.
Sot do të zhvillohet dita e fundit e garës për të rinjë ku do të luhen finalet e mbetura U11, U15 dhe U19 me plot emocione dhe surpriza. Ju presim në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve!