STAG

FATIH KARABAXHAK DHE SHEGA HASHANI FITOJNË TURNEUN TOP 8 PËR U21

 Më 1 Dhjetor në SHFMU Tefik Çanga, në Ferizaj është mbajtur turneu TOP 8 për U21.

Fatih Karabaxhaku me të gjitha ndeshjet e fituara doli i pari në konkurrencën e meshkujve, kurse Shega Hashani, në një konkurrencë të ashpër me Lenë Osmani dhe Leoresa Imeri, në saje të pikëdallimit u rendit e para.

Te djemtë, Karabaxhak nuk kishte konkurrencë, kurse garë e ngushtë u zhvillua për vendin e dytë ndërmjet Blend Hajdarit dhe Adriatik Malokut që shënuan nga 4 fitore e dy humbje dhe vendi i dytë i takoi Blendit në saje të duelit direkt në mes tyre. Ibrahim Maloku me bilanc 3 fitore e 3 humbje doli i katërti, para Amant Sejdiut në vendin e pestë dhe Akil Mahmutit në të gjashtin me nga 2 fitore e 4 humbje. I shtati doli Arlind Lamaxhema, me 6 humbje dhe asnjë fitore.

Gara te vajzat ishte shumë më e nivelizuar dhe siç është pritur tri lojtaret e përfaqësueses sonë edhe në konkurrencën e senioreve, Shega Hashani, Lenë Osmani dhe Leoresa Imeri zhvilluan një garë të fortë për vendin e parë, andaj u desh të kalkulohej bilanci i ndeshjeve ndërmjet tyre. Në saje të pikëdallimit më të mirë Shega doli e para, Lena e dyta kurse Leoresa Imeri e treta. Anisa Domaniku me 2 fitore e 3 humbje u rendit e katërta, Jona Hashani me 1 fitore e 4 humbje doli e pesta, kurse Taibe Ruli nuk arriti të fitojë asnjë ndeshje në pozitën e gjashtë.