Zanafilla e pingpongut në Kosovë nis pas Luftës së Dytë Botërore në SHETR Partizani, e pastaj në vitin 1950 filluan të formohen seksionet e pingpongut pranë kësaj shoqërie. Në vitin 1953 u themelua Lidhja e Pingpongut të Kosovës, e me themelimin e saj fillojnë edhe garat e para kampionale në Kosovë që janë organizuar në formë të turneve deri në vitin 1966. Në këtë vit, për herë të parë, u formua Liga e Pingpongut të Kosovës, ndërsa në vitin 1972 edhe Liga e Dytë e Kosovës.
LPP e Kosovës me 240 anëtarë të regjistruar ka rritur masovitetin, por jo edhe cilësinë, ka mbetur prapa viseve tjera të ish-Jugosllavisë. Deri në vitin 1984 suksesin më të madh e ka arritur Klubi i Pingpongut “Prishtina”, që vite me radhë ka bërë gara në Ligen e Dytë Federative të Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe pingpongu, si një sport mjaft joshës, është zhvilluar mjaft shumë, kjo më së miri mund të ilustrohet me ekzistimin e reth 800 lojtarëve aktivë, 20 gjyqtarëve federativ, dy ndërkombëtar, 25 trajnerë e shtatë salla sportive. Në këtë kohë janë hapur edhe klubet e pingpongut në fshatra si Bellaqevc, në Kaçanik të vjetër, në Prekovc, Çagllavicë, Turiqevc, etj. (Gashi, S., 1984).
Pingpongu ka vazhduar të zhvillohet edhe gjatë periudhës së shpërndarjes së ish-Jugosllavisë, kur Serbia okupoi Kosovën, me çka pësoi edhe sporti. Kjo çoi deri te organizimi i sistemit paralel të sportit nga shqiptarët me qëllim të mbijetesës dhe megjithëse vështirësitë e pa imagjinueshme u arrit synimi.
Në vitin 2003 Federata e Pingpongu e Kosovës, pas një aktiviteti të ngjeshur lobues dhe këmbëngulës ia doli që të anëtarësohet, si federatë e barabartë, në mesin e të gjitha federatave tjera të botës, në Federaten Botërore të Pingpongut (ITTF - International Table Tennis Federation), dhe ne Unionin Europian të Pingpongut (ETTU - Europian Table Tennis Union). Ky vit do të mbetet në historinë e sportit të Kosovës si vit i fillimit të aderimit të tij në familjen e madhe botërore të sporteve.
Viti 2013 për Federatën e Pingpongut të Kosovës, përveç që shënon 10 vjetorin e pranimit të saj në familjen e madhe botërore dhe evropiane të pingpongut, ishte vit i rëndësishëm për faktin se ajo edhe përkundër pengesave të mëdha arriti që të anëtarësohet edhe në Unionin Ballkanik të Pingpongut BTTU (Balkan Table Tennis Union) si anëtare me të drejta të plota dhe kështu të hyjë në historinë̈ e sportit kosovar si Federata e parë kosovare e një sporti olimpik të ketë̈ njohje të plotë ballkanike e sidomos duke pasë parasysh faktin se Unioni me decenie të tëra udhëhiqej nga zyrtarët serb dhe grek.
Përveç pjesëmarrjes se reprezentacionit kosovar, në gara evropiane dhe botërore, FPPK-së i ishte besuar edhe organizimi i turneut kualifikues për Kampionatin Evropian 2007, si dhe ne vitin 2015, FPPK-ja ishte organizatore e “Kampionatit Ballkanik për të Rinjë 2015” Balkan Youth Table Tennis Championship, kampionat i cili ishte përgëzuar nga udhëheqësit e Federatës Botërore te Pingpongut (ITTF).