STAG

Fillon Kampionati Botëror i Pingpongut për Veteranë në Romë

 Më 9 korrik në Romë, ka filluar Kampionati botëror i pingpongut për veteranët.

Është kjo ngjarja më masovike e parë ndonjëherë në pingpong 6100 lojtarë, 350 tavolina, mbi 200 gjyqtarë, qindra vullnetarë. Më parë ITTF e kishte kufizuar numrin e pjesëmarrësve në 5000 veta, por sivjet ata e tejkaluan edhe këtë limit dhe lejuan të arrihet numri rekord i shënuar në ndonjë garë të ITTF-it. Kosovën në këto gara e përfaqësojnë Nehat Çitaku si lojtar dhe Naim Azemi si gjyqtar. Në ditën e parë të garave, Çitaku ka arritur të dalë fitues në grupin e tij dhe të kualifikohet për fazën e dytë.

Paralelisht me aktivitetin garues, Çitaku ka qenë shumë aktiv edhe në planin sportiv-diplomatik, pasi FPPK në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Itali, kanë hapur një stendë ku janë duke e promovuar sportin dhe shtetin e Kosovës, duke shpërndarë materiale promovuese te të pranishmit.

Po ashtu, z.Çitaku, njëherit edhe Presidenti i FPPK-së, ka patur takime të frytshme edhe me zyrtarë të lartë të ITTF-it, duke përfshi edhe vetë kreun e saj Petra Sorling, pastaj edhe me përfaqësues të sportit të vendit dhe qytetit mikpritës, sponsorin gjeneral te Kampionatit Stag Global, Mr. Vivek Kohli, kryetarin e FPP të Italisë Di Napoli. Në kuadër të kampanjës promovuese, janë duke u promovuar edhe dy garat botërore në pingpong, që do të mbahen këtë fundvit në Kosovë, WTT Youth Contender Prishtina 2024 dhe WTT Feeder Series Prishtina 2024, si dhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.