STAG

FPPK KA ORGANIZUAR DY SEMINARE PËR TRAJNERË

 Qëndrimin pesëditor të ekspertit të ITTF-it (Aleksey Yefremov) , në Kosovë e ka shfrytëzuar FPPK duke organizuar dy seminare për trajnerët. Tema e seminarit të parë ka qenë rreth goditjeve teknike në pingpong, variante dhe metodologji të ndryshme për zhvillimin dhe perfeksionimin e elementeve teknike të lojës. Trajnerët kanë patur mundësi që përmes pyetjeve drejtuar ekspertit dhe duke këmbyer përvojat e tyre nga praktika të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve të trajnerëve të rinj, por edhe në përforcimin e njohurive të të gjithë trajnerëve tjerë. E gjithë përvoja e fituar pa mëdyshje do t’iu shërbejnë trajnerëve në përmirësimin e cilësisë së punës së tyre me lojtarë dhe në ngritjen e cilësisë së lojës së lojtarëve në përgjithësi.

Në seminarin e dytë, tema ka qenë më delikate, përkatësisht aspekte nga taktika e lojës. Është diskutuar rreth përdorimit të elementeve teknike në situata situacionale të lojës me theks të veçantë në aspektin taktik, strategjitë e përgatitjes së lojës, si asaj defensive ashtu edhe ofensive. Ngritja e nivelit të të kuptuarit të lojës në aspektin taktik nga ana e trajnerëve kërkon njohuri më të gjera dhe më specifike nga ana e trajnerëve për të përgatitur lojtarë për nivele ndërkombëtare, andaj ky seminar i ka kontribuar shumë avancimit të kësaj problematike.

Eksperti Yefremov është ndarë shumë i kënaqur me pjesëmarrjen, interesimin e madh të trajnerëve dhe me interaktivitetin e tyre gjatë mbajtjes së seminareve.