Për 4 ditë me radhë është mbajtur Kampi për të Rinj i organizuar nga Federata e Pingpongut e Kosovës, nën drejtimin e trajneres së njohur ndërkombëtare Andreja Ojstersek. Ky kamp mblodhi sportistë të rinj nga Kosova dhe Shqipëria, duke u ofruar atyre mundësi zhvillimi profesional dhe përmirësimi të vazhdueshëm në pingpong.
Gjatë kampit, pjesëmarrësit u angazhuan në seanca intensive të stërvitjeve, të fokusuara në përmirësimin e teknikës, taktikës së lojës dhe përgatitjes fizike. Nën udhëheqjen e Andreja Ojstersek, një emër i dëshmuar në pingpongun ndërkombëtar dhe mentore e sportistëve të nivelit elitar, të rinjtë patën mundësinë të përfitojnë drejtpërdrejt nga përvoja dhe metodologjia e një trajnereje me standarde të larta profesionale.
Angazhimi i një trajnereje të këtij niveli përbën një arritje të rëndësishme për Federatën e Pingpongut të Kosovës dhe dëshmon përkushtimin e FPPK-së për t’u ofruar sportistëve të rinj mundësi trajnimi cilësore dhe qasje në ekspertizë ndërkombëtare.
Federata e Pingpongut e Kosovës falënderon trajneren Andreja Ojstersek, sportistët pjesëmarrës, trajnerët vendorë si dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij kampi, duke riafirmuar fokusin e saj në zhvillimin afatgjatë të pingpongut dhe investimin në gjeneratat e reja.