Të shtunën dhe të dielën (22 dhe 23 Mars), në palestrën e SHFMU Astrit Bytyqi, në Ferizaj, do të mbahet Kampionati Individual i Pingpongut për të rritur.
Kjo është gara më e rëndësishme dhe prestigjioze në konkurrencën individuale të pingpongistëve të Kosovës, me pikët më të larta dhe numrin më të madh të pjesëmarrësve dhe kategorive.
Se Kampionati individual është gara më e rëndësishme në nivel kombëtar e vërteton edhe rëndësia dhe vlera që i jepet në nivelin ndërkombëtar, pasi data e mbajtjes së saj është unike për të gjitha shtetet evropiane dhe 22 dhe 23 Marsi është fundjava kur zhvillohen Kampionatet kombëtare në të gjitha vendet anëtare të ETTU-së. Edhe FPPK-ja e ka përshtatur kalendarin e saj të garave me atë të Federatës evropiane të pingpongut duke e rezervuar këtë fundjavë vetëm për Kampionatin Individual.
Kampionati, do të hapet ditën e shtunë, në ora 10, më 22 Mars, me ndeshjet në grupe si dhe me ndeshjet e çifteve deri në fazën finale, kurse ditën e dielë do të zhvillohen garat në shortin kryesor si dhe finalet e çifteve. Për kampionët e rinj do të ndahen shpërblime nga FPPK.
Krahas aktivitetit garues, do të zhvillohet zgjedhja e Komisionit të sportistëve në të cilin do të përfshihen të gjithë sportistët me të drejtë vote.
Të drejtë pjesëmarrjeje në garë kanë gjithë lojtarët e regjistruar në FPPK, të moshës 16 vjeç e më të vjetër (si dhe 4 të parët nga renditja U15).
Paraqitja e lojtarëve bëhet deri të mërkurën (19 Mars) në ora 16, kurse shorti do të hedhet online të enjten më 20 mars.