Nën Patronatin e Komunës së Podujevës dhe me mbështetjen e FPPK-së sot, në sheshin e 4 Dëshmorëve në Podujevë, në kuadër të Ditëve të Diasporës është mbajtur një turne në pingpong. Turneu më shumë kishte karakter shoqërues për pjesëtarët e diasporës llapjane.
Të pranishmit u befasuan këndshëm kur i panë të vendosura tavolinat në shesh dhe me shumë entuziazëm afroheshin për të provuar të luajnë pingpong, që në fakt e pasuroi jetën kulturo sportive të këtyre ditëve të verës në Llap. Me gjithë karakterin jo tipik zyrtar, turneu e pati edhe pjesën garuese, morën pjesë mbi 30 veta, kryesisht të rinj.
Fituesit e 3 vendeve të ara, si te djemtë ashtu edhe te vajzat u shpërblyen me medalje, mirënjohje e vendi i parë edhe me Kupë, të cilat ua ndau kryetari i FPPK-së, Nehat Çitaku. Garat i udhëhoqi Fadil Luta, sekretar i FPPK-së, i asistuar nga profesorët e Shoqatës së Sportit Shkollor dhe zyrtarit për Sport të DKRS të Podujevës. Drejtoresha për kulturë Rini dhe Sport, znj. Vlora Humolli, në një fjalim rasti i falënderoi qytetarët për pjesëmarrje, si dhe Federatën e Pingpongut të Kosovës për gatishmërinë për ta ndihmuar aktivitetin. Ajo ndau mirënjohje, për kontribut për pingpongun, për profesorët Faik Çitaku dhe Abedin Bahtiri, si dhe për kryetarin Nehat Çitaku.