STAG

PËRFUNDOI ME SUKSES KAMPI STËRVITOR PESË DITOR PËR PINGPONGISTËT MË TË MIRË TË KOSOVËS

 Nga data 12 e deri më 16 gusht, në SHFMU “Tefik Çanga” në Ferizaj, është mbajtur kampi stërvitor për lojtarët më të mirë të Kosovës të të gjitha grupmoshave.

Seancat stërvitore në kamp janë zhvilluar nën drejtimin e ekspertit të mirënjohur të Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut (ITTF), Aleksey Yefremov, i asistuar nga trajnerët tanë: Dardan Imami, Baton Çitaku dhe disa herë edhe nga Yll Maloku. Në kamp kanë marrë pjese rreth 40 lojtarë të moshave të ndryshme të të dy gjinive. Me lojtarët është punuar ne dy grupe, dy herë në ditë nga dy seanca stërvitore 2 orëshe, gjithsej 8 orë në ditë. Organizimi dhe e tërë rrjedha e kampit ka shkuar si është më së miri megjithë temperaturat tropikale që po mbretërojnë këto ditë te ne. Dëshira e madhe e lojtarëve për të përfituar nga ekspertiza dhe përvoja e pasur e trajnerit Yefremov i cili ka qenë kryetrajner i gjashtë kombëtareve, Egjiptit, Indisë, Perusë, Kolumbisë, Islandës dhe se fundi i kombëtarës së Norvegjisë, ka bërë që lojtarët të mos e ndjejnë vapën, por e kanë freskuar repertorin e njohurive të tyre me risi dhe finesa teknike e taktike.