Me sukses ka përfunduar Kampionati i Dytë mbarëkombëtar Kosovë-Shqipëri 2024. Për dy ditë me radhë pingpongistët dhe pingpongistet më të mira të Kosovës dhe Shqipërisë kanë garuar mes vete për të nxjerrë kampionët e këtij viti, të dytin me radhë. Bashkëpunimi Kosovë -Shqipëri, në fakt ka filluar shumë vjet më parë duke organizuar gara të përbashkëta në kategori dhe grup-mosha të ndryshme. Ky bashkëpunim është zgjeruar me organizimin e Kampionatit mbarëkombëtar individual vitin e kaluar. Kësaj gare në konkurrencë individuale i ka paraprirë zhvillimi i garave ekipore ndërmjet ekipeve më të mira të Kosovës dhe Shqipërisë për vite me radhë, herë në Shqipëri e herë në Kosovë.
Kësaj radhe nikoqire ishte Kosova me Ferizajin si qendër e rëndësishme e pingpongut. Pjesëmarrës ishin 16 (8 femra dhe 8 meshkuj) lojtarët më të mirë nga secila Federatë.
Ditën e parë u zhvilluan garat për çifte femra, çifte meshkuj dhe çifte të përziera deri në fazën finale, kurse në konkurrencën individuale ditën e parë u luajtën garat në grupe. Nga 16 lojtarë dhe 16 lojtare të të dyja vendeve ishin në ndarë në nga 4 grupe me katër lojtarë, sipas sistemit secili me secilin, ku dy të parët e secilit grup avancuan në shortin final në ditën e dytë. Grupet kishin përbërje të përzier, nga 2 lojtarë nga secili shtet.
Kampionati u hap me garën e çifteve të përziera, ku në rrugën për finale çifti Kreshnik Mahmuti/Shega Hashani e mundën çiftin Rrahman Ademaj/Lene Osmani, kurse Çifti Fatih Karabaxhaku/Taibe Ruli ishin më të mirë se çifti nga Shqipëria Aron Koni/Samanta Agolli.
Më pas u zhvillua pjesa më interesante e garës nëpër grupe, ku pas shumë duelesh interesante e cilësore për në shortin final u kualifikuan:
Meshkujt: Fatih Karabaxhaku, Dritan Laska, Aron Koni, Blendi Hajdari, Kreshnik Mahmuti, Murat Kurtulus, Kejdi Kalaja dhe Rrahman Ademaj, kurse
Femrat: Shega Hashani, Lene Osmani, Alma Mehmeti, Liridona Rexhaj, Samanda Agolli, Taibe Ruli, Leoresa Imeri dhe Emirjeta Isufi.
Çiftet për femra dhe për meshkuj pasuan garën në grupe, me ç’rast nxorën finalistet dhe finalistët;
Alma Mehmeti / Leoresa Imeri dhe Emirjeta Isufi / Samanda Agolli, kurse për meshkuj Fatih Karabaxhaku / Kreshnik Mahmuti dhe Rrahman Ademaj / Murat Kurtulus.
Dita e dytë nisi me finalet për çiftet e përziera ku pas një loje të mirë dhe të nivelizuar, Mahmuti dhe Hashani, në saje të përvojës fituan me rezultatin e ngushtë 3:2 ndaj kampionëve në fuqi Karabaxhakut dhe Rulit.
Në garën e çifteve për meshkuj Kreshnik Mahmuti dhe Fatih Karabaxhaku, që kishin hyrë si favoritë, me meritë e mbrojtën titullin e fituar vitin e kaluar. Në vendin e tretë u rendit çifti Redion Ajdinaj/Aron Koni. Ndërkaq te çiftet e femrave kampione dolën lojtaret nga Shqipëria Emirjeta Isufi dhe Samanta Agolli, kurse vendin e tretë e zunë Liridona Rexhaj/Elionela Hasani.
Në garën individuale, për në gjysmëfinale u plasuan 2 lojtarë nga Kosova dhe dy nga Shqipëria: Kreshnik Mamuti, Fatih Karabaxhaku, Aron Koni dhe Kejdi Kalaja. Karabaxhaku pas një dueli interesant e mundi Konin me rezultatin 3:1, e me të njëjtin rezultat fitoi edhe Kreshnik Mahmuti duke e thyer rezistencën e fortë të Kejdi Kalajës 3:1. Në ndeshje për vendin e tretë, Kejdi Kalaja e mundi Aron Konin me 3:0, sikur edhe Kreshnik Mahmuti ndaj Fatih Karabaxhakut. Më shumë rivalitet pati te garat e femrave, ku Lenë Osmani megjithë lojën e fortë dhe cilësore nuk arriti ta mposhtë Liridona Rexhajn stoike me stilin e saj karakteristik defansiv. Leoresa Imeri e mundi Taibe Rulin në gjysmëfinalen e dytë, dhe në finale shfaqi lojë të bukur ofensive por që nuk ishte e mjaftueshme për thyer rezistencën e Liridonës.
Në përgjithësi, organizimi i garës ishte në nivel shumë të lartë, si në aspektin e përgatitjes teknike të ambienteve për lojë ashtu edhe në mikpritjen dhe akomodimin e mysafirëve nga Shqipëria, të cilët u ndanë të kënaqur dhe e vlerësuan lartë të gjithë aktivitetin. Lojtarët dhe pjesëmarrësit tjerë u shoqëruan mes vete, këmbyen përvoja e miqësi, kurse lojtarët po ashtu kaluan qaste të mira së bashku dhe me kulturë të lartë sportive dhe korrektësi maksimale i zhvilluan garat mes vete.
Tre vendet e para për secilën kategori u shpërblyen me mirënjohje, medalje kurse të parët edhe me Kupa, të cilat i ndanë zyrtarët e të dyja Federatave: Nehat Çitaku, kryetar, Tonin Binoshaj, sekretar dhe Remzi Shala, anëtar Bordi.