Ka përfunduar eventi më i madh i pingpongut i mbajtur ndonjëherë në Kosovë. Në ditën e fundit, janë mbajtur finalet për çifte të përziera, çifte femra dhe meshkuj, individuale femra dhe individuale meshkuj.
Fitues në Individuale të meshkujve, u shpall Tomislav Pucar, duke e mundur Anders Lind me rezultat 3:1 në një ndeshje të fortë që u përkrah nga publiku gjatë tërë rrjedhës. Pucar u shpreh i lumtur pas fitores pasi që kishte humbur dy herë ndaj Anders Lind. Fitorja ndaj Lind është një hap i madh për Pucar, sidomos pas fitores që Lind kishte ndaj lojtarit më të mirë në botë javë më parë.
Në Individuale të femrave, fituese u shpall japonezja Sakura Yokoi, me rezultat 3:0 ndaj amerikanes Jiangshan Guo.
Në çiftet e meshkujve dominuan koreanët, të cilët garuan me njëri – tjetrin për titullin kampion, ndërsa në çiftet e femrave dominuan japonezet Sakura Yokoi dhe Sachi Aoki.
Kroatët Hana Arapovic dhe Ivor Ban, u shpallën kampionë të çifteve të përziera.
Ky event solli shumë emocion dhe tifozë të flaktë të pingpongut në sallën 1 Tetori. Të pranishëm gjithashtu ishin edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, zëvendësministrja e Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Daulina Osmani, z.Bardhyl Dobra, zëvendësministër i Ministrisë së Brendshme, e mysafir tjerë të respektueshëm.
Organizimi i këtij eventi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e institucioneve dhe partnerëve tanë. Ne falënderojmë Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për përkrahjen e dhënë, si dhe partnerët tanë, përfshirë Stag Global, Meridian Express, Tickmedia, VM3, E-CONNECT, RIKON, Vertigo Home, Swiss Diamond Hotel Prishtina, Sirius Hotel, Metal Kosova, Telkos, Kompania Turistike Dita.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë stafin dhe vullnetarët që me përkushtimin e tyre bënë të mundur organizimin e këtij eventi të paharrueshëm.
Organizimi ka qenë madhështor dhe mbresëlënës, duke tejkaluar pritshmëritë e pjesëmarrësve. Atmosfera e krijuar dhe përkujdesja ndaj detajeve kanë lënë një përshtypje të jashtëzakonshme. Pjesëmarrësit e kanë vlerësuar shumë këtë përvojë dhe shumë prej tyre kanë shprehur dëshirën për t'u kthyer sërish në të ardhmen.
Shihemi në qershor në organizimin e dytë të WTT Feeder Prishtina 2025.