Federata e Ping Pongut e Kosovës me rastin e muajit të vetëdijesimit ndaj kancerit të gjirit ka organizuar turneun “PINK PONG Breast Cancer Awareness” për personat e prekur nga kjo sëmundje.
Kastriot Orana nga kjo Federatë ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës se pse kanë vendosur të organizojnë një turne të tillë që është shumë i veçantë.
“Sot, Federata e Ping Pongut organizon një turne që është jashtë kalendarit zyrtar të garave. PINK PONG Breast Cancer Aëareness është një turne vetëdijësues për luftën kundër kancerit të gjirit. E dimë që muaji tetor është muaji i vetëdijësimit për kancerin e gjirit dhe ngjyrë rozë është simbol i këtij muaji”.
“Ne si Federatë kemi vendosur që të organizojmë një ngjarje të tillë ku kemi ftuar persona që janë të prekur nga kjo sëmundje dhe persona që mund të jenë të prekur në të ardhmen në mënyrë që të ngrisim vetëdijësimin për kontrolla të hershme duke pasë parasysh që diagnostifikimi sa më i hershëm është i barabartë me shpëtimin e jetës”.
Por, çfarë lidhje ka sëmundja e kancerit të gjirit me Ping Pongun?
“Një ndër faktorët ose elementet që ndikon në luftimin ose parandalimin e kancerit të gjirit është aktiviteti fizik. Ne si Federatë e kemi veprimtarinë e Ping Pongut kështu që po tentojmë që përmes Ping Pongut po tentojmë ta luftojmë këtë dukuri dhe të ngrisim vetëdijësimin që të merremi sa më shumë me aktivitete fizike”.
Ky turne është i hapur për qytetarë dhe po mbahet në sallën e Ping Pongut në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
“Ky ka qenë turne i hapur ku mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët. Ftesën e kemi bërë përmes mediave dhe rrjeteve sociale që tash kanë shumë impakt në shpërndarjen e informatës”.
“Këtu aktiviteti ka filluar në ora 17:00 dhe pritet të zgjasë deri në ora 20:00 për ditën e sotme. Ftoj të gjithë qytetarët të vinë dhe te merren me aktivitete fizike, por jo vetëm një ditë – të jenë aktivë dhe së paku 3-4 herë në javë të merren me sport”.