STAG

Resul Smaili dhe Amra Gashi shpallen fitues të turneut TOP 8 për grup-moshën U13

 Të shtunën me 5 tetor, në palestrën e SHFMU "Tefik Çanga" në Ferizaj, u mbajt turneu TOP 8 për grup-moshën nën 13 vjeçe (U13), për djem dhe vajza.

Në konkurrencën e vajzave, Amra Gashi nga ekipi i Prishtinës doli fituese, duke pasur pikë të barabarta me Jonida Ibrahimin, por u shpall e para falë fitores në përballjen e tyre direkte. Në garën për vendin e tretë, Sara Hoxha, Vlera Beqa dhe Lira Hashani patën pikë të barabarta (nga 11), ndërsa Vlera doli e treta në bazë të numrit të setave të fituara, Lira u rendit e katërta dhe Sara e pesta. Leana Hallaqi doli e gjashta me 2 fitore dhe 5 humbje, duke lënë pas Jara Hallaqin në vendin e shtatë me 1 fitore dhe 6 humbje. Alara Sisko përfundoi e fundit me 1 fitore dhe 6 humbje.Fituesja e vendit të parë u shpërblye me medalje, mirënjohje dhe Kupë, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë morën medalje dhe mirënjohje.

Në konkurrencën e djemve, gara për tre vendet e para ishte shumë e barabartë ndërmjet Imran Durakit, Resul Smailit dhe Olti Behlulit, të cilët të gjithë patën nga 6 fitore dhe 1 humbje. Në bazë të setave të fituara, Resuli doli i pari, ndërsa dueli direkt ndërmjet Oltit dhe Imranit vendosi për vendin e dytë, pasi kishin setat e fituara dhe të humbura të barabarta. Muhamet Mudu u rendit i katërti me 4 fitore dhe 3 humbje, përpara Donat Ferizit me 3 fitore dhe 4 humbje. Në vendin e gjashtë doli Rejan Krasniqi me 2 fitore dhe 5 humbje, i ndjekur nga Sharr Hashani me 1 fitore dhe 6 humbje, ndërsa Ajan Vranofci përfundoi i tetë pa asnjë fitore.

Edhe këtu, fituesi i vendit të parë u shpërblye me medalje, mirënjohje dhe Kupë, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë morën medalje dhe mirënjohje.