STAG

U mbajt Kampionati Ekipor dhe Individual Kosovë – Shqipëri

Gjatë fundjavës, në Pallatin e sporteve të qytetit të Elbasanit, janë zhvilluar aktivitete në kuadër të Ligës mbarëkombëtare dhe Kampionatit individual të pingpongut.

Të shtunën janë mbajtur garat ekipore të Ligës Mbarëkombëtare, ku kanë marrë pjesë dy skuadrat më të mira të Ligës së Kosovës dhe të Shqipërisë, për femra dhe për meshkuj. Kosovën e kanë përfaqësuar Prishtina F dhe Ahmet Hoxha F për femra, kurse Lidhja e Prizrenit dhe Liria për meshkuj. Federata shqiptare është përfaqësuar nga: Teuta e Durrësit dhe ELbasani për femra dhe SK Tirana dhe Elbasani për meshkuj.

Në konkurrencën e femrave, Teuta e Durrësit ka dalë kampione para Prishtinës F, kurse Ahmet Hoxha F dhe Elbasani janë renditur në vendin e tretë.

Te meshkujt, skuadrat nga Kosova kanë qenë më të mira dhe janë renditur në dy vendet e para Lidhja e Prizrenit para Lirisë, SK Tirana ka dale e treta, kurse Elbasan i katërti.

Të dielen ndërkaq është mbajtur gara për Kampionatin individual, që është zhvilluar në dy faza: faza e parë sipas sistemit secili me secilin, kurse në fazën e dytë kanë kaluar dy të parët nga secili grup. Te femrat, lojtaret e Shqipërisë e kanë dominuar garën pasi nga 4 vendet e para tri lojtare kanë qenë nga Shqipëria. Në finale Emirjeta Isufi e ka mundur Liridona Rexhajn me 3:1, kurse Taibe Ruli, nga Kosova dhe Amanda Agolli nga Shqipëria janë renditur të tretat.

Te meshkujt, në gjysmëfinale janë takuar dy lojtarët më të mirë nga Kosova me ata nga Shqipëria. Së pari, në gjysmëfinale, Kreshnik Mahmuti ka fituar ndaj Dorian Tapisë me 3:1, kurse Kejdi Kalaja, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në 5 seta e ka mundur Fatih Karabaxhakun me 3:2. Në finale, Kalaja ishte para një befasie të madhe duke udhëhequr me 2:0 ndaj Kreshnik Mahmutit, por Kreshniku e ktheu rezultatin duke vërtetuar rolin e favoritit pasi ai është aktualisht lojtari më cilësor në trojet shqiptare.

Përveç aktivitetit garues, pati edhe takime miqësore e zyrtare të përfaqësuesve të Federatës së Pingpongut të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Përfaqësuesit e FPPK-së Qamil Vishaj, nënkryertar dhe Fadil Luta sekretar, si dhe anëtarët e Bordit: Shega Hashani dhe Alma Mehmeti u pritën nga Drejtori i Sporteve në Elbasan, Kreu i Federatës shqiptare, si dhe Presidenti i Komitetit Olimpik të Shqipërisë Ylli Fideli. Gjatë takimit Fideli përshëndeti bashkëpunimin e mire të dy federative dhe shprehu gatishmërinë e lartë për bashkëpunim të ndërsjellë për ta çuar pingpongun përpara, me ç’rast u shkëmbyen edhe dhurata modeste nga të dyja delegacionet.

I gjithë aktiviteti nga aspekti garues me profesionalizëm është mbulluar nga ekipi i gjyqtarisë të prirë nga Arbitri: Abedin Bahtiri.

Vlen të përmendet edhe puna e Tonin Binoshit, sekretarit të FSHPP, i cili e ka bartur barrën kryesore të organizimit të sukseshëm nga Federata Shqiptare.

Të gjitha aktivitetet gjatë dy ditëve me profesionalizëm dhe punë të zellshme në cilësinë e fotografes i ka mbuluar Samire Jupolli.

FPPK i falënderon të gjithë për pjesëmarrjen, punën e bërë dhe garën e mrekullueshme që dhuroi plot emocione!