STAG

U mbajt Kampionati Individual i Kosovës për Veteranë

 

Të dielën në Ferizaj është zhvilluar Kampionati Individual i Kosovës për Veteranë.

Në grupmoshën mbi 70 vjeç, Sheshivar Veliu i mundi të gjithë kundërshtarët dhe me meritë doli i pari, para Jakup Bibajt në vendin e dytë, kurse në vendin tretë u renditën Vehbi Raçi dhe Adem Gashi.

Në grup-moshën 65-69, Burim Rakovica, arriti të triumfojë, pasi në finale e mundi Remzi Shalën me 3:0 në seta, kurse Nezir Lokaj dhe Gani Pireva u renditën në vendin e tretë.

Në grup-moshën 60-64, Nehat Çitaku doli kampion pasi në finale e mundi Feim Ramën me 3:0 në seta, kurse Bujar Halili dhe Qamil Statofci ndanë vendin e tretë.

Ndeshje shumë të forta u zhvilluan në grup-moshën 50-59, njëherit kategoria me numrin më të madh të pjesëmarrësve. Në gjysmëfinalen e parë, Murat Kurtulush e mundi Ilir Jahën me 3:0, kurse Eroll Boshnjaku, Kasum Morinën me 3:2. Në finale, Kurtulush ishte më i mirë se Boshnjaku dhe me rezultatin e ngushtë 3:2 arriti ta fitojë titullin e kampionit.

Te grup-mosha më e re, 40-49, Yll Maloku mundi Erxhan Karabaxhakun, në gjysmëfinalen e parë me 3:2 në seta, sikur edhe Alimemet Kaçaniku Jeton Azizin. Në finale, Kaçaniku tregoi formë të mirë dhe arriti ta mundë Malokun me 3:1.

Në finalen e çifteve Alimemet Kaçaniku dhe Eroll Boshnjaku, fituan me rezultatin e ngushtë 3:2 ndaj çiftit Murat Kurtulush/Ilir Jaha, në vendin e tretë u renditën Nehat Çitaku/Burim Rakovica dhe Eroll Karabaxhaku/Zeqir Asllani.

Në përgjithësi gara kaloi në atmosferë shumë miqësore, ku veteranët edhe njëherë përveç lojës patën rastin të takohen dhe të forcojnë miqësitë e tyre.

Për më të mirët FPPK ndau shpërblime me medalje e Kupa.