STAG

Zhvillohet Turneu Përkujtimor Ahmet Hoxha

 Me 19 maj, në Palestrën e SHFMU Tefik Çanga, në Ferizaj, u zhvillua turneu Përkujtimor, Ahmet Hoxha, i 25-ti me radhë.

Pjesëmarrës ishin rreth 100 pingpongistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe një nga Egjipti.

Para hapjes së turneut, një delegacion i përbërë nga kreu i Federatës së Pingongut, familjarëve të heroit Ahmet Hoxha dhe zyrtarëve nga Drejtorati Komunal i Sportit të Ferizajit, bën homazhe te varri i heroit Hoxha. Në hapjen zyrtare, të pranishmit i përshëndeti Kryetari i FPPK-së z.Nehat Çitaku, si dhe drejtoresha e DKRS znj. Xhemile-Murati Shabani, e cila e shpalli të hapur turneun.

Turneu kaloi në atmosferë të mirë me shumë ndeshje interesante dhe me rivalitet, si te meshkujt ashtu edhe te femrat. Vlen të përmendet ndeshja çerekfinale, ndërmjet Liridona Rexhajt dhe Alma Mehmetit, e cila zgjati pesë seta, në fund fitorja i takoi lojtares nga Shqipëria 3:2. Ndeshje tjetër interesante ishte ajo ndërmjet Shega Hashanit dhe Taibe Rulit. Taibja udhëhoqi 2:0 në seta dhe ishte në prag të befasisë së turneut, megjithatë në fund vendosi përvoja e Shegës dhe me meritë kaloi në gjysmëfinale.

Te meshkujt, Fatih Karabaxhaku luajti shumë mire ndaj egjiptianit Mohamed Sallama (në çerekfinale). Ndeshja kaloi me rivalitet shumë të forte dhe vetëm nyancat e vendosën epilogun e ndeshjes. Në saje të përvojës më të madhe, fitore shënoi Sallama dhe kaloi me meritë në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale u plasua edhe Alimemet Kaçaniku pasi e mundi Yll Malokun me 3:0 në seta. Megjihatë, ky ishte maksimumi i tij, pasi në gjysmëfinale hasi në kundërshtar më cilësor dhe humbi me 3:0 në seta.

Në gjysmëfinalen e femrave, Shega Hashani tregoi lojë shumë të mire dhe të pjekur ndaj Liridona Rexhajt dhe arriti të shënojë fitore të merituar me 3:1 në seta, duke dëshmuar edhe një here formë dhe cilësi të lartë. Mënyra si fitoi Shega ishte impresionuese, me pjekurinë dhe cilësinë e treguar.

Leoresa Imeri, me një lojë të bukur ofensive, e fitoi me shumë siguri gjysmëfinalen tjetër ndaj Emirjeta Isufit dhe me meritë kaloi në finale.

Blend Hajdari, tregoi lojë shumë të mire ndaj egjiptianit Sallama, madje e fitoi setin e dytë, të ndeshjes, por fitorja në fund i takoi Sallamas me 3:1 në seta.

Në konkurrencë e femrave patëm finale kosovare, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e lojtareve nga Shqipëria dhe cilësinë e tyre, ndërmjet Shega Hashanit dhe Leoresa Imerit. Leoresa rezistoi denjësisht ndaj Shega Hashanit, lojtares numër një në Kosovë, duke e rritur në maksimum paqartësinë e fituesit deri në pikët e fundit të setit final, por në fund Shega u tregua më e kujdeshme dhe fitoi me rezultatin 3:2 në seta.

Ndeshja finale ndërmjet Sallamas dhe Mahmutit ishte shumë e nivelizuar, ku u këmbyen goditje atraktive dhe veprime taktike, të cilat i sollën fitoren Mohamed Sallamas me 3:1 në seta. Si përfundim, i tërë turneu pati një rrjedhë të kënaqshme, si për nga organizimi ashtu edhe për nga cilësia e treguar e lojës..

Në fund, organizatori vendet e para i shpërbleu me medalje e mirënjohje dhe me të holla; Vendi i parë 400 €, vendi i dytë 200 € dhe vendi i tretë 100 €.

Shpërblimet u ndanë nga anëtarët e familjes Hoxha dhe kryetari i FPPK-së, Nehat Çitaku.

Renditja:

Femrat:

1.Shega Hashani

2.Leoresa Imeri

3.Emirjeta Isufi

4.Liridona Rexhaj

Meshkujt:

1.Mohamed Sallama

2.Kreshnik Mahmuti

3.Alimemet Kaçaniku

4.Blend Hajdari