Federata e Pingpongut e Kosovës
Prishtinë, dt. 16 korrik 2022
Kampionati Evropian për të Rinjë
(6 – 15 korrik, 2022)
Pavarësisht se Federata e Pingpongut e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë FPPK) është anëtare me të drejta të plota në Unionin Evropian të Pingpongut (në tekstin e mëtejmë ETTU), sërish Serbia e mohoi pjesëmarrjen tonë si anëtare e barabartë në Kampionatin Evropian për të Rinjë (6 – 16 korrik 2022) që u mbajt në Serbi, duke mos lejuar që të rinjtë tanë të jenë pjesë e lojërave të pingpongut.
Duke qenë të vetëdijshëm për këtë situatë, FPPK-ja në muajin maj ka inicuar komunikimet me strukturat udhëheqëse të ETTU-së për t’u siguruar që Kosova do të përfaqësohet në Kampionatin Evropian për të Rinjë me të drejta të barabarta sikurse çdo anëtar i ETTU-së.
Përkundër përpjekjeve të FPPK-së, nga ETTU-ja në muajin qershor kemi pranuar përgjigje e cila e mirëpret pjesëmarrjen e Kosovës në Kampionatin Evropian për të Rinjë por e njëjta nuk ka arritur që të siguroj kushte të barabarta për kosovarët për faktin se ky event do të realizohet në Beograd. Ndërhyrjet politike në aktivitetet e sportistëve duhet të dënohen nga të gjithë mekanizmat/strukturat sportive ndërkombëtare.
Prandaj, të pakënaqur me këtë qëndrim, FPPK-ja me datë 28 qershor 2022 ka inicuar Ankesë në Bordin e Apelit të ETTU-së i cili është autoritet përfundimtar për zgjidhjen e kontesteve/rasteve në nivel të ETTU. FPPK-ja konsideron që moslejimi i pjesëmarrjes së Kosovës në Kampionatin Evropian për të Rinjë me të drejta të barabarta sikurse çdo anëtar tjetër i ETTU-së, përbën shkelje të rëndë të:
1. Kushtetutës së ETTU-së dhe rregullativës ligjore të Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut (në tekstin e mëtejmë ITTF);
2. Kartës Olimpike;
3. Deklaratës Universale pët të Drejtat e Njeriut, si dhe
4. Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Prandaj, në këtë kontekst, FPPK-ja kërkon nga Bordi i Apelit të ETTU-së që të:
1. Ndërmerr masa sanksionuese ndaj Federatës së Pingpongut të Sërbisë duke i ndaluar organizimin e garave ndërkombëtare deri në sigurimin e kushteve të barabarta për të gjithë anëtarët e ETTU-së
2. Që ETTU, të bëjë suspendimin e Federatës së Pingpongut të Sërbisë për faktin e njejta ka shkelur rëndë Kushtetutën e ETTU-së, Kartën Olimpike dhe rregullativën përkatëse ligjore në fuqi.
Federata e Pingpongut e Republikës së Kosovës është në pritje të shqyrtimit dhe zgjidhjes së këtij rasti nga Bordi i Apelit të ETTU-së, duke kërkuar që të drejtat e saj të garantuara me Kushtetutën e ETTU-së të respektohen dhe Federatës së Pingpongut të Sërbisë t’i shqiptohen masat për shkeljen e rregullativës ligjore. Në të kundërtën, FPPK-ja do të realizoj të gjitha mjetet juridike në të gjitha instancat dhe mekanizmat gjyqësor sportiv dhe më gjërë për t’u siguruar se të drejtat themelore të anëtarëve të ETTU-së dhe ITTF po zbatohen.
Ju falemnderit për vëmendjen e juaj!