Pingpongistja e re kosovare, Zana Bllaca, ka përfaqësuar Kosovën në turneun prestigjioz ndërkombëtar STIGA Masters U11, i cili u zhvillua më 24 dhe 25 tetor 2026, në Blegny të Belgjikës, pranë qytetit të Lièges.
Në këtë turne, që mblodhi talentët më premtuese të pingpongut evropian, sipas ranglistës zyrtare evropiane e botërore për këtë grupmoshë. Në kategorinë U11, morën pjesë gjithsej 28 garues, 14 vajza dhe 14 djem, të ndarë në dy grupe me nga shtatë pjesëmarrës në secilën kategori.
Zana Bllaca shënoi një moment të veçantë për pingpongun kosovar, duke u bërë pingpongistja e parë nga Kosova e ftuar zyrtarisht në këtë turne. Pjesëmarrja e saj përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e karrierës sportive dhe në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Gjatë dy ditëve të garave, Zana Bllaca regjistroi 4 fitore dhe 5 humbje. Në ditën e parë, ajo shënoi tri fitore bindëse me rezultat 3:0 ndaj përfaqësueseve të Çekisë, Rumanisë dhe Moldavisë, ndërsa u mposht nga Franca me rezultat të ngushtë 2:3 dhe nga Turqia e Gjermania me rezultat 0:3.
Në ditën e dytë, Zana shënoi një tjetër fitore ndaj përfaqësueses së Moldavisë me rezultat 3:1, ndërsa pësoi dy humbje, ndaj Letonisë me rezultat 1:3 dhe Rumanisë me rezultat të ngushtë 2:3.
Në fazën e grupeve, Zana u rendit e pesta në grupin e saj, me 9 pikë, po aq sa tri garuese të tjera, ndërsa turneun STIGA Masters U11 e përfundoi në vendin e 10-të nga 14 pjesëmarrëse, duke dëshmuar paraqitje konkurruese përballë talenteve evropiane.
Përtej rezultateve, pjesëmarrja në një turne të këtij niveli i ka ofruar Zanës një përvojë të vlefshme ndërkombëtare, mundësinë për të matur aftësitë e saj me talentet e reja evropiane dhe për të fituar përvojë në gara me konkurrencë të lartë.
Gjatë turneut, Zana u shoqërua dhe u udhëhoq nga trajneri Naser Hasani, i cili ka rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe zhvillimin e saj sportiv. Një kontribut të veçantë në rrugëtimin e saj ka edhe mbështetja e vazhdueshme nga familja, rrethi i saj dhe Federata e Pingpongut e Kosovës (FPPK), të cilët e motivojnë dhe e përkrahin në arritjen e synimeve të saj sportive.
Pjesëmarrja e Zana Bllacës në STIGA Masters U11 është një dëshmi e potencialit që kanë talentet e reja të Kosovës dhe një motivim për vazhdimin e punës drejt sukseseve të ardhshme ndërkombëtare.