STAG

Kampionati Mbarëkombëtar bashkon më të mirët e pingpongut nga Kosova dhe Shqipëria

Klubet dhe lojtarët më të mirë të pingpongut nga Kosova dhe Shqipëria do të përballen për titujt e kampionëve ekiporë dhe individualë, në një organizim që bashkon elitën e dy vendeve dhe premton rivalitet të fortë sportiv e përballje cilësore.

Federata e Pingpongut e Kosovës, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Ping Pongut dhe KPP Ponte Prizren, do të organizojnë Kampionatin Mbarëkombëtar Kosovë-Shqipëri për senior, që do të mbahen më 21-22 nëntor 2026, në shkollën “Hysen Rexhepi” në Prizren.

Kampionati Ekipor, i cili do të zhvillohet më 21 nëntor, do të mbledhë dy klubet më të mira nga secili shtet, në konkurrencën e meshkujve dhe femrave. Garat do të organizohen në formatin e ligës së përbashkët, sipas sistemit Round Robin (secili kundër secilit), ku ekipet do të matin forcat në përballje direkte për të përcaktuar kampionët ekiporë Kosovë–Shqipëri për vitin 2026.

Ndërkaq, më 22 nëntor do të zhvillohet edicioni i tretë i Kampionatit Individual për seniorë, ku do të marrin pjesë 8 lojtarët më të mirë nga secili shtet, në të dy gjinitë, të përzgjedhur sipas ranglistave aktuale të Kosovës dhe Shqipërisë.

Garat individuale do të fillojnë me fazën e grupeve, sipas sistemit Round Robin, ku lojtarët do të ndahen në katër grupe të përziera, me nga dy përfaqësues të Kosovës dhe dy të Shqipërisë në secilin grup. Dy lojtarët më të mirë nga secili grup do të kualifikohen në fazën eliminatore, ku do të zhvillohen përballjet vendimtare për titujt e kampionëve individualë Kosovë–Shqipëri.

Një risi e veçantë e këtij edicioni do të jenë shpërblimet ekskluzive për më të mirët! Përveç kupave dhe medaljeve, falë mbështetjes së SIM GOLD dhe ELIT GOLD, ekipet fituese do të shpërblehen me rrathë argjendi, ndërsa EMO do të dhurojë orë dore për kampionin dhe kampionen në garat individuale.

Një kontribut të rëndësishëm në realizimin e këtij kampionati japin edhe sponsorët dhe partnerët e tjerë mbështetës, të cilët, përmes përkrahjes së tyre, ndihmojnë në organizimin cilësor të kësaj ngjarjeje dhe promovimin e pingpongut mbarëkombëtar.
Këto shpërblime dhe mbështetja e sponsorëve i japin një dimension të ri kampionatit, duke rritur motivimin, rivalitetin sportiv dhe emocionet në garën për titujt mbarëkombëtar!

Ky kampionat pritet të sjellë përballje të forta mes ekipeve dhe lojtarëve më të mirë të Kosovës dhe Shqipërisë, duke krijuar një mundësi të rëndësishme për të matur nivelin sportiv, për të shkëmbyer përvoja dhe për të nxitur konkurrencën cilësore në të dy vendet.

Përtej garës për tituj, ky organizim pasqyron bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy federatave dhe angazhimin e përbashkët për zhvillimin, promovimin dhe ngritjen e nivelit të pingpongut në Kosovë dhe Shqipëri.

Me pjesëmarrjen e elitës së pingpongut nga të dy vendet, Kampionati Kosovë–Shqipëri synon të vazhdojë traditën e përballjeve cilësore dhe të forcojë më tej lidhjet sportive ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.