Përfaqësuesja e Kosovës ka marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Pingpongut për Senior, i cili u zhvillua në qytetin e Albena në Bullgari nga data 2 deri më 6 shtator. Në këtë ngjarje sportive, Kosova ka përfaqësuar dy kategori të ndryshme: kategorinë e meshkujve dhe kategorinë e femrave.
Në kategorinë e meshkujve, përfaqësuesja e Kosovës ishte e përbërë nga lojtarët Kreshnik Mahmuti, Fatih Karabaxhaku, Blend Hajdari dhe Yll Dragidella, të udhëhequr nga Trajneri Besim Hajdari. Në kategorinë e femrave, përfaqësuesja e Kosovës përbëhej nga Lenë Osmani, Alma Mehmeti dhe Leoresa Imeri, nën udhëheqjen e Trajnerit Jeton Azizi.
Përfaqësuesja e femrave përfundoi në pozitën e 8-të në klasifikimin përfundimtar të kampionatit. Përkundër pozitës së tyre në renditje, ato morën pjesë në këtë turne dhe dhanë më të mirën e tyre për ta përfaqësuar me sukses Kosovën në nivelin ballkanik.
Përfaqësuesja e meshkujve pati paraqitje te mirë në garat ekipore, duke shënuar dhe një fitore kundër ekipit nga Shqipëria. Kreshnik Mahmuti ka shënuar tri fitore, ndërsa Fatih, Blendi dhe Ylli kanë shënuar nga një fitore. Në fund, ekipi ynë u rëndit në pozitën e shtatë në renditjen përfundimtare.Paraqitje mjaft të mirë në garat individuale kishte Kreshnik Mahmuti, i cili përkundër paraqitjes fantastike në ndeshjen kundër kampionit të Bullgarisë humbi me rezultat 3 me 2.
Edhe në kategorinë e çifteve të përziera nga një fitore kanë shënuar Yll Dragidella & Leoresa Imeri, si dhe Fatih Karabaxhaku & Lenë Osmani.
Paraqitje të mirë kishte edhe referi ndërkombëtar, Eroll Karabaxhaku, i cili ka referuar shumë ndeshje të rëndësishme, si, finalja e garave ekipore dhe finalja e çifteve të përziera.