STAG

Kpp Priping fitues i derbit kundër Kpp Lidhja e Prizrenit

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, dje me datën 16.10.2022 u zhvillua derbi kryesor i sezonit vjeshtor në Superligën e Kosovës në pingpong për kategorinë e meshkujve ku u ndeshën direkt dy rivalët për titullin e kampionit dhe treguan pingpong cilësor, Kpp Lidhja e Prizrenit dhe Kpp Priping. Ndeshja u zhvillua në kushte të shkëlqyeshme organizative dhe në një atmosferë impozante e me shumë shikues, ku në mesin e tyre ishte edhe Kryeministri z.Albin Kurti së bashku me Ministrin e Sportit z.Hajrullah Çeku të cilët me prezencën e tyre e nderuan komunitetin sportiv të pingpongut.

 

Ndeshja filloi në orën 20:00 dhe zgjati rreth 3 orë pasi fituesi u përcaktua vetëm pasi u zhvilluan 7 ndeshje tejet interesante dhe dramatike. Drejtësinë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme e ndau gjyqtari me shumë përvojë, gjyqtari ndërkombëtar z.Shefqet Jashari.

“Lidhja e Prizrenit” e filloi mirë ndeshjen ku Fatih Karabaxhaku e mposhti Yll Dragidellën me rezultat 3-1. Në ndeshjen e dytë anglezi Chris Doran i barazoi shifrat duke e mposhtur Blend Hajdarin me rezultat 3-1. Kreshnik Mahmuti e riktheu epërsinë për ekipin nga Prizreni duke e mposhtur Aulon Bovolakun me rezultat 3-1. Në ndeshjen e katërt, dyshja Doran & Dragidella ishin më të mirë dhe e mposhtën dyshen nga Prizreni, Karabaxhaku & Mahmuti me rezultat 3 me 1 për të barazuar gjithqka dhe për ta bërë tejet interesante rrjedhën e ndeshjes. Në ndeshjen e pestë anglezi Chris Doran përsëri e fitoi ndeshjen me rezultat 3-1, kësaj radhe ndaj Fatih Karabaxhakut por që në ndeshjen e radhës Kreshnik Mahmuti pa shumë vështirësi e mposhti Yll Dragidellën me rezultat 3-1 për ta barazuar kështu rezultatin e përgjithshem në 3-3. Ndeshja vendimtare u zhvillua në mes të Blend Hajdarit (Lidhja e Prizrenit) dhe Aulon Bivolakut (Priping) e cila ishte tejet dramatike dhe me shumë kthesa, ku në setin e katërt Blendi kishte 3 match point për ta përfunduar ndeshjen me fitore për klubin e tij por që nuk ia doli, dhe kështu Auloni arriti të përmbys gjithqka dhe në setin e fundit arriti ta fitoj këtë ndeshje me rezultat 3-2 dhe me rezultat të përgjithshëm 4-3 në të mirë të klubit nga Prishtina, Kpp Priping, fitore kjo e cila barazon pikët në mes të dy klubeve, njëherit dy vendeve të para, për ta vendosur kështu kampionin në xhiron e fundit e cila do të zhvillohet këtë fundjavë.

A do të ketë befasi, apo do të arrij “Lidhja e Prizrenit” ta mbroj titullin e kampionit, mbetet të shihet këtë fundjavë.