STAG

Lenë Osmani dhe Kreshnik Mahmuti triumfojnë në turneun “Dita e Pavarësisë”

 Më 16 shkurt,  në Junik u zhvillua turneu tradicional i pingpongut “Dita e Pavarësisë”, një garë e organizuar nga Klubi i Pingpongut Juniku, nën përkujdesjen e Federatës së Pingpongut të Kosovës.

Ngjarja nisi me intonimin e himnit kombëtar, pasuar nga fjalimi i nënkryetarit të FPPK-së, Qamil Vishaj. Hapjen zyrtare të turneut e bëri kryetari i komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu.

Gjatë garës pati ndeshje mjaft të mira dhe surprizuese. Në kategorinë e vajzave, finalja u zhvillua mes Lenë Osmanit dhe Loresa Imerit, ku Osmani arriti të triumfojë me rezultat 2-0. Vendi i dytë i takoi Imerit, ndërsa Taibe Ruli dhe Shega Hashani, u renditën në vendin e tretë.

Në kategorinë e meshkujve, Kreshnik Mahmuti shkëlqeu në finale, duke mposhtur Sina Keyhan me rezultat 3-0 dhe duke u shpallur kampion i turneut. Vendi i tretë iu nda Rrahman Ademajt dhe Ibrahim Malokut. FPPK përgëzon Klubin e Pingpongut Juniku për organizimin e suksesshëm të këtij turneu dhe falënderon të gjithë pjesëmarrësit.