Këtë fundjavë vazhdojnë garat ekipore të Kampionatit të Kosovës në pingpong, me ndeshje që do të zhvillohen në të gjitha ligat.
Të shtunën, më 12 shtator, në Palestrën “Tefik Çanga” në Ferizaj, do të zhvillohen ndeshjet e javës së pestë të Ligës së të Rinjve U15M, përkatësisht xhirot 11 dhe 12.
Të dielën, më 13 shtator, vazhdon programi me ndeshjet e ligave për të rritur, të cilat do të zhvillohen në Ferizaj, Skenderaj dhe Istog.
Në palestrën “Tefik Çanga” në Ferizaj, Superliga e Meshkujve do të luajë ndeshjet e javës së gjashtë, përkatësisht xhirot 10 dhe 11, ndërsa Superliga e Femrave do të zhvillojë ndeshjet e xhirove 8 dhe 9.
Në Palestrën “Astrit Bytyçi”, Liga e Parë për Meshkuj dhe Femra do të zhvillojë ndeshjet e xhirove 10 dhe 11.
Vëmendje të veçantë pritet të marrë edhe përballja derbi në Ligën e Parë për Meshkuj, ndërmjet Gani Malokut dhe Ponten. Duke pasur parasysh se të dyja klubet janë përforcuar me sportistë të huaj, kjo përballje pritet të jetë ndër ndeshjet më interesante të fundjavës. Dy ekipet synojnë rezultate të larta këtë sezon, ndërsa ndeshja mes tyre mund të tregojë se cili prej tyre do të renditet në krye të tabelës.
Ndërkohë, në Skenderaj, në Shkollën Profesionale “Anton Çeta”, ndeshjet e radhës do t’i zhvillojë Liga e Dytë A, ndërsa në Istog, në palestrën “Hysni Zajmi” në Vrellë, Liga e Dytë B do të zhvillojë ndeshjet e xhirove 10 dhe 11.
Kështu, fundjava e 12 dhe 13 shtatorit sjell një tjetër program të ngjeshur të garave ekipore, me klubet që vazhdojnë betejën për rezultate dhe pozicionim sa më të mirë në kampionatet përkatëse.
📎Bashkëngjitur gjeni dokumentin me orarin e plotë të ndeshjeve që do të zhvillohen gjatë fundjavës.