STAG

Nehat Çitaku zgjidhet kryetar i federatës se pingpongut te Kosovës

Me datë 19 janar, në Sallën e konferencave të hotel Sirius në Prishtinë, u mbajt kuvendi jashtëzakonshëm zgjedhor i Federatës së Pingpongut të Kosovës (FPPK). Ky kuvend pati si qëllim zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të Bordit Ekzekutiv pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm z. Jeton Beqiri.

Në kuvend ishin të pranishëm 38 nga 42 përfaqësues të klubeve të FPPK-së, prej tyre 37 me me të drejtë vote. Në kuvend po ashtu ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit nga Komitetit Olimpik të Kosovës dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit, Z. Jeton Oruqi, pasi përshëndeti delegatët dhe falënderoj ish kryetarin për kontributin e tij, nisi rendin e ditës, me temë diskutimi ‘E drejta e votës për klubet e diskualifikuara gjatë vitit 2023’. Pas shumë diskutimeve, me shumicë të votave u mor vendimi se klubet ‘Peja F’, ‘Gani Maloku’ dhe ‘ Shkolla’ të kenë të drejtë vote.

Dy kandidatët për kryetar, Jeton Oruqi dhe Nehat Çitaku, prezantuan para të pranishmëve programet e tyre, e pas prezantimeve ata u përgjigjën në pyetjet nga delegatët dhe të pranishmit tjerë.

Pas përfundimit të prezantimeve, u zgjodh komisioni i verifikimit të votave dhe delegatët u informuan për procesin e votimit.

Pas verifikimit të fletëvotimeve dhe numërimit të votave nga komisioni verifikues, rezultati u shpall nga Sekretari i përgjithshëm i Federatës, Z. Fadil Luta, i cili informoi të pranishmit se nga 38 klubet me të drejtë vote, të pranishëm në sallë ishin 37 delegat, gjatë votimit komisioni ka vlerësuar dy fletëvotime të pavlefshme, andaj nga 35 vota të vlefshme për Jeton Oruqi kanë votuar 17 delegatë ndërsa për Nehat Çitakun kanë votuar 18 delegatë, andaj fitues i zgjedhjeve dhe kryetar i ri i Federatës është z. Nehat Çitaku.

Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Kryetari i ri, z. Nehat Çitaku, falënderoi delegatët për përkrahje dhe angazhimin e tyre. Ai u zotua për të punuar me nderë në të mirë të sportistëve, klubeve dhe sportit të pingpongut.

Po ashtu në këtë kuvend u zgjodhën edhe anëtarët e bordit ekzekutiv, për të cilët u zhvilluan 3 runde të votimit.

1. Alma Mehmeti

2. Blerina Sallaj

3. Blerta Abazi

4. Feim Rama

5. Fitim Krasniqi

6. Gani Pireva

7. Qamil Vishaj

Ndërsa plotësimi i numrit të plotë të anëtarëve të bordit me 2 propozime nga kryetari dhe 1 përfaqësues të sportistëve do të bëhet në kuvendin e ardhshëm të federatës