Më 17 dhe 18 tetor 2026, në Palestrën Sportive “Astrit Bytyçi” në Ferizaj, u zhvillua Turneu Përkujtimor i Pingpongut “Gani Maloku 2026”, i cili mblodhi rreth 150 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Bullgaria, në dy ditë garash të karakterizuara nga rivaliteti sportiv, ndeshjet cilësore dhe respekti për kontributin e Gani Malokut në zhvillimin e sportit të pingpongut.
Dita e parë - 17 tetor 2026
Në ditën e parë u zhvilluan garat në kategoritë U13, U19 dhe të veteranëve.
Në kategorinë U13, fitues u shpallën Ana Kokoneshi te vajzat dhe Imran Duraki te djemtë, ndërsa në kategorinë U19 triumfuan Taibe Ruli te vajzat dhe Rejan Krasniqi te djemtë.
Në konkurrencën e veteranëve, titujt e kampionëve sipas kategorive i fituan:
40–49 vjeç: Stanislav Ivanov
50–59 vjeç: Alimehmet Kaçaniku
60–64 vjeç: Selami Latifi
65–69 vjeç: File Matevski
70+ vjeç: Petar Jovanovski
Dita e dytë - 18 tetor 2026
Dita e dytë solli garat në kategoritë U11, U15 dhe në konkurrencën e seniorëve, ku u zhvilluan përballje interesante dhe ndeshje me rivalitet të lartë.
Në kategorinë U11, titujt e kampionëve i fituan Zana Bllaca te vajzat dhe Arjon Krasniqi te djemtë.
Në kategorinë U15, Sara Hoxha triumfoi te vajzat, pas fitores në finale ndaj Ana Kokoneshit, ndërsa Rejan Krasniqi fitoi titullin te djemtë, duke mposhtur në finale Imran Durakin.
Vëmendja kryesore ishte e përqendruar te garat e seniorëve, ku nuk munguan ndeshjet cilësore dhe rezultatet befasuese.
Në konkurrencën e femrave, Duygu Sonmez nga Turqia dominoi garën dhe fitoi vendin e parë, duke lënë pas Lenë Osmanin në vendin e dytë, ndërsa Leoresa Imeri dhe Anisa Domaniku u renditën në vendet e treta.
Në konkurrencën e meshkujve, Sina Keyhan u shpall kampion pas fitores 3:1 në finale ndaj Kreshnik Mahmutit. Vendet e treta i fituan Ibrahim Maloku dhe Ron Kolloni. Një nga rezultatet më interesante të kësaj kategorie ishte fitorja e Ibrahim Malokut ndaj Fatih Karabaxhakut me rezultat 3:2 në çerekfinale.
Turneu Përkujtimor “Gani Maloku 2026” u përmbyll me sukses, duke dëshmuar rëndësinë e organizimit të aktiviteteve që, krahas zhvillimit dhe promovimit të sportit të pingpongut, ruajnë kujtimin dhe vlerësojnë kontributin e personaliteteve që kanë lënë gjurmë në këtë sport.
Dy ditët e garave ishin jo vetëm një mundësi për të promovuar talentet e reja dhe përvojën e sportistëve veteranë, por edhe një dëshmi e respektit të vazhdueshëm për figurën dhe veprën e Gani Malokut.
Bashkëngjitur gjeni raportin e plotë të turneut, me rezultatet dhe fituesit e të gjitha kategorive për të dyja ditët e garave.