Të shtunën dhe të dielën u zhvillua Kupa e Kosovës 2026 në pingpong, një prej aktiviteteve më të rëndësishme të kalendarit vendor, e cila solli përballje të forta, rivalitet dhe emocione deri në ndeshjet e fundit.
KPP Liria - kampione e Kupës së Kosovës 2026 për seniorë meshkuj
Në konkurrencën e seniorëve meshkuj, KPP Liria fitoi Kupën e Kosovës pas triumfit 3:1 ndaj KPP Lidhjes së Prizrenit në finalen e madhe.
Dy skuadrat kishin qenë protagoniste edhe në kampionatin e Superligës, ku Lidhja e Prizrenit u shpall kampione, ndërsa Liria përfundoi në pozitën e dytë.
Lidhja e Prizrenit arriti në finale pasi në çerekfinale mposhti Ponte Prizrenin 3:0, ndërsa në gjysmëfinale Prishtinën 3:1. Liria, në anën tjetër, eliminoi Vushtrrinë në çerekfinale me rezultat zyrtar 3:0 dhe Dardaninë në gjysmëfinale 3:0.
Në finalen e madhe, Liria tregoi nivel të lartë dhe fitoi 3:1. Vendimtar për triumfin ishte edhe Konstantinos, i cili siguroi dy fitore për Lirinë, ndaj Kreshnik Mahmutit 3:1 dhe Ziver Gunduz 3:0.
KPP Gjilani F – kampione e Kupës së Kosovës 2026 për seniorë femra
Në konkurrencën e seniorëve femra, KPP Gjilani F e fitoi Kupën e Kosovës pas një finaleje konkurruese ndaj KPP Prishtina F, me rezultat 3:2.
Ndeshja gjysmëfinale u vendos në duelin e fundit, kur Adea Kulla mposhti Edolinda Alimehajn dhe i siguroi Gjilanit finalen.
Edhe finalja u vendos në ndeshjen e pestë. Pas rezultatit 2:2, Zana Bllaca fitoi ndaj Hana Murselit dhe i dha Gjilanit fitoren 3:2 dhe trofeun e Kupës së Kosovës.
Pas suksesit në Superligë, ku përfundoi në vendin e dytë, Gjilani F e kurorëzon sezonin me fitimin e Kupës së Kosovës.
TTC Ferizaj - kampion i Kupës së Kosovës 2026 për U15 meshkuj
Në kategorinë U15 meshkuj, TTC Ferizaj u shpall kampion i Kupës së Kosovës pasi në finale mposhti KPP Pripingun 3:1.
Në çerekfinale, KPP Ahmet Hoxha mposhti KPP KVPP Prizrenin 3:1, ndërsa në gjysmëfinale TTC Ferizaj fitoi 3:0 ndaj Gani Malokut.
Në gjysmëfinalen tjetër, KPP Priping fitoi 3:1 ndaj KPP Ahmet Hoxhës, me një paraqitje të shkëlqyer të Denat Makollit.
Makolli siguroi dy fitore për Pripingun, duke mposhtur Olti Behlulin, një prej tre lojtarëve më të mirë të kategorisë U15, dhe më pas Selim Azazin, përforcimin nga Turqia.
Në finale, TTC Ferizaj fitoi 3:1 ndaj Pripingut dhe e ngriti trofeun e Kupës së Kosovës.
Për Ferizajn, ky është trofeu i dytë brenda dy javësh, pasi skuadra kishte fituar më parë edhe titullin kampion të Ligës U15M.
Në përbërjen e Ferizajt është edhe Rejan Krasniqi, një prej lojtarëve kryesorë të kësaj kategorie.
Në përfundim të aktivitetit, trofetë për skuadrat fituese iu dorëzuan kapitenëve nga kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, z. Nehat Çitaku.
Bashkëngjitur më poshtë gjeni fotografitë nga aktiviteti dhe momentet kryesore të ceremonisë së ndarjes së trofeve.