STAG

U mbajt Turneu i 6-të Memorial për Veteran “Dr. Fatmir Fazlija” në Skenderaj

Në Skenderaj, u mbajt edicioni i gjashtë i Turneut Memorial të Pingpongut për Veteran “Dr. Fatmir Fazlija”, në nderim të jetës dhe veprës së tij. Në këtë aktivitet sportiv dhe përkujtimor morën pjesë veteranë të pingpongut nga Kosova dhe Shqipëria.

Para fillimit të garave, një delegacion i përbërë nga veteranë dhe përfaqësues të Federatës së Pingpongut të Kosovës bëri homazhe pranë bustit të Dr. Fatmir Fazlisë. Më pas, delegacioni vizitoi edhe shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari në sheshin e qytetit, si dhe bustin e Leotrimit të vogël në oborrin e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj.

Ceremonia e hapjes nisi me intonimin e himneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë. Më pas, të pranishmëve iu drejtua me një fjalim vajza e Dr. Fatmir Fazlisë, e cila e kujtoi të atin si një figurë frymëzimi, hero dhe njeri me vlera të larta njerëzore e kombëtare, vepra dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e familjes, miqve dhe gjithë atyre që e njohën veprën e tij.

Në vazhdim, një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, z.Nehat Çitaku, i cili theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla për të nderuar figurat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit dhe në komunitetin sportiv.

Turneu u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe respekti, duke bashkuar veteranët e pingpongut nga Kosova dhe Shqipëria në kujtim të një figure që la gjurmë në historinë e vendit.

Garat janë zhvilluar në kategoritë 40–49, 50–59, 60–64, 65–69, 70–74 dhe 75+, fillimisht në fazën e grupeve dhe më pas në fazën finale me shortin kryesor, ku janë përcaktuar fituesit e këtij edicioni të turneut.

Te grup-mosha 75+ vjeç, në finale u përballën Shaip Reqica dhe Vehbi Raqi, ku kampion u shpall Reqica. Vendin e tretë e zuri Skender Haruni.
Te grup-mosha 70–74 vjeç, finalja u zhvillua mes Shasivar Veliu dhe Ilir Trebicka, ku fitorja i takoi Veliut. Vendin e tretë e zuri Shkëlqim Hoxha.
Te grup-mosha 65–69 vjeç, në finale u takuan Remzi Shala dhe Sadri Hulaj, ku fitues doli Shala. Vendin e tretë e zuri Xhorxhi Skufi.
Te grup-mosha 60–64 vjeç, finalja u zhvillua mes Nehat Çitaku dhe Qamil Statovci, ku triumfoi Çitaku. Vendin e tretë e zuri Fadil Beqa.
Te grup-mosha 50–59 vjeç, në finale u përballën Dritan Laska dhe Elidon Bekurti, me fitoren e Laskës. Vendin e tretë e zuri Nexhmedin Hajredinaj.
Te grup-mosha 40–49 vjeç, në finale u takuan Berkan Bajmak dhe Yll Maloku, ku fitorja i takoi Bajmakut. Vendin e tretë e zuri Alimemet Kaçaniku.

Edicioni i gjashtë i Turneut Memorial për Veteranë “Dr. Fatmir Fazlija” u përmbyll me sukses, duke nderuar figurën e tij përmes sportit, respektit dhe bashkimit të veteranëve të pingpongut nga Kosova dhe Shqipëria.