Në turneun "Podgorica Open 2025", që u mbajt më 1 dhe 2 shkurt në Podgoricë, Kosovarët kanë arritur rezultate të shkëlqyera, duke triumfuar në disa kategori të ndryshme. Ky turne i rëndësishëm për të rinjtë, organizuar nga Klubi i Pingpongut Buducnost, mblodhi mbi 100 lojtarë nga shtetet e rajonit, dhe sportistët tanë ishin të suksesshëm, duke sjellë katër medalje në Kosovë.
Denat Makolli ishte një nga fituesit kryesorë, duke triumfuar në kategorinë U11 dhe duke siguruar trofeun për Prishtinën. Lojtari i sapo transferuar në klubin KPP Priping kaloi fazën e grupeve pa humbje, duke mposhtur të gjithë kundërshtarët e tij me rezultat 3:0. Në gjysmëfinale, ai mundi Nikola Mikovic, ndërsa në finale e mposhti bindshëm kampionin e Podgorica Open 2024, Uroš Makajic, me rezultat 3:0. Ky është një sukses i madh për Denatin dhe për klubin e tij, i cili siguroi trofeun ndërkombëtar të parë për vitin 2025.
Përveç Denatit, edhe Deti Konushevci arriti të shpallej fitues i medaljes së bronztë në kategorinë u11, duke e përfaqësuar Kosovën me nder.
Në kategorinë U19, Enes Domaniku pati një paraqitje të shkëlqyer, duke arritur deri në finale, ku u përball me Luka Karanovoc. Pavarësisht se dha një luftë të fortë dhe bëri disa lëvizje atraktive, Enesi u mund në finale me rezultat 3:1. Ndërkohë, Lenë Osmani, një tjetër talent nga Kosova, poashtu siguroi vendin e dytë në kategorinë e femrave u19.
FPPK i përgëzon sportistët dhe klubet për arritjet dhe ju dëshiron suksese në të ardhmen!