STAG

KPP Drita kampione e stinorit pranveror në superligën e femrave, KPP Lidhja e Prizrenit dhe Liria në krye të renditjes në superligën e meshkujve

 Të shtunën dhe të dielën janë zhvilluar ndeshjet e javës së pestë në Superligën e meshkujve dhe të femrave.

Në Superligën e femrave, xhiroja e pestë ishte e fundit e stinorit pranveror e cila përcaktoi kampionin e këtij stinori.

Pas një gare shumë të barabartë ndërmjet tri ekipeve: Dritës, Prishtinës dhe Ahmet Hoxhës, Drita doli kampione, në saje të bilancit më të mirë të setave të fituar dhe të humbur në takimet e ndërsjella me Prishtinën dhe Ahmet Hoxhën. Në fakt të tria skuadrat kanë tubuar numër të njëjtë pikësh nga 9, dhe fitoret ndaj njëra tjetrës i kishin të njëjta me nga 4:1, andaj sipas Rregullores për Sistemin e Garave, Neni 17, u desh të kalkulohej numri i setave të fituar dhe të humbur për ta përcaktuar renditjen finale.

Në xhiron e pestë Drita ia shkaktoi Prishtinës humbjen e parë me rezultat të bindës 4:1, për ta bërë më interesante garën për kreun e tabelës. Ahmet Hoxha e mundi Gjilanin me 4:2, kurse fitoren e parë (4:2) e shënoi Juniku si mysafir i Shpresës, në Turiqefc.

Te Superliga e meshkujve, takimi më i rivalizuar u zhvillua në Prizren ndërmjet Lirisë dhe Pripingut, i cili përfundoi me fitoren e Lirisë me 4:3. Në Prizren u luajt edhe derbi ndërmjet Lidhjes së Prizrenit dhe Dardanisë, ku fitorja i takoi vendasve me rezultatin 4:2. Suksesin e skuadrave nga Prizreni e ka kompletuar Shkolla Prizreni me fitoren ndaj Vushtrrisë me 4:0. Fitoren e parë e ka shënuar edhe Prishtina ndaj Hasan Prishtinës me rezultatin 4:0. Pas ndeshjeve të xhiros së pestë, renditjes i prijnë Lidhja e Prizrenit dhe Liria me nga 10 pikë, para Pripingut dhe Dardanisë me nga 9. Prishtina dhe Shkolla Prizreni kanë tubuar nga 6 pikë, kurse Vushtrria dhe Hasan Prishtina ende janë në kërkim të fitores së parë dhe renditen në pozitat 7 dhe 8 me nga 5 pikë.