STAG

SAMANDA AGOLLI DHE KRESHNIK MAHMUTI KAMPION TË KAMPIONATIT TË PARË INDIVIDUAL MBARËKOMBËTAR KOSOVË SHQIPËRI

Në një organizim të madhështor dhe një atmosferë mbresëlënëse, shkolla 'Tefik Çanga' në Ferizaj u bë një arenë e mrekullueshme ku u zhvillua Kampionati i parë Individual Mbarëkombëtar Kosovë -Shqipëri.

Ky event jo vetëm që shënoi një moment historik për sportin e pingpongut në Kosovë dhe Shqipëri, por gjithashtu theu pritshmëritë duke krijuar një përvojë fantastike për të gjithë pjesëmarrësit dhe spektatorët.

Me përfundimin e kategorisë së çifteve për meshkuj dhe femra, lojtarët vazhduan garën në kategorinë individuale.

Nga 32 lojtarë që ishin të shpërndarë në tetë grupe me nga katër lojtarë për dy kategoritë, meshkuj dhe femra, kualifikimin e siguruan nga dy lojtarë nga secili grup. Kështu në skeletin kryesor u kualifikuan nga 16 lojtarë nga secila kategori.

Ndeshje mjaft të mira u zhvilluan në dy kategoritë, me shumë pikë interesante, emocione dhe tension.

Në gjysmëfinalen e parë në kategorinë e femrave u takuan Samanda Agolli dhe Alma Mehmeti, të cilat zhvilluan një ndeshje shumë e mirë. Setin e parë e fitoi Samanda, ndërsa të dytin për ta barazuar rezultatin e fitoi Alma. Ajo luajti lojë mjaft të mirë, mirëpo Samanda ishte më e përqendruar për lojë, kështu fitoi dy setet tjera me radhë, dhe me rezultat 3:1 mposhti Almën për tu kualifikuar në finale.

Në gjysmëfinalen e dytë Shega Hashani u ndesh me Lenë Osmani e cila pati një ndeshje mjaft të fortë në të tetën e finales kundër lojtares numër një nga Shqipëria Liridona Rexhaj ndaj të cilës fitoi me rezultat të ngushtë 3:2. Në një ndeshje tepër interesante dhe me shumë poena të mirë, Lena fitoi me rezultat 3:0 kundër Shegës, dhe kështu u kualifikua në finalen e kampionatit individual mbarëkombëtar.

Në finale u takuan dy lojtare me stile të ndryshme të lojës, që e bëri ndeshjen shumë interesante dhe emocionuese. Lenë Osmani në stilin sulmues dhe Samanda Agolli me stil defansiv, dhanë një shfaqje shumë tërheqëse për të gjithë të pranishmit. Setin e parë e fitoi Samanda, ndërsa të dytin për ta barazuar rezultatin në 1:1 fitoi Lena. Samanda me përvojën e saj ia doli të fitoi dhe dy setet tjera në vazhdim, për tu shpallur kampione e kampionatit të parë individual mbarëkombëtar Kosovë – Shqipëri.

Në gjysmëfinalen e parë në kategorinë e meshkujve u takuan Kreshnik Mahmuti dhe Kejdi Kalaja. Kejdi luajti lojë të mirë, mirëpo Kreshniku ishte më i përqendruar dhe kështu fitoi ndeshjen me rezultat 3:0, për tu kualifikuar në finale.

Në gjysmëfinalen e dytë, Fatih Karabaxhaku dhe Berkan Baymak u ndeshen në një ndeshje me shumë të mirë, me emocione dhe tension. Setin e parë e fitoi Berkani, ndërsa Fatih fitoi tre setet tjera me radhë dhe me fitore me rezultat 3:1 siguroi kualifikimin në finale.

Fatih Karabaxhaku dhe Kreshnik Mahmuti u takuan në finale shumë interesante dhe me plot poena tërheqës. Të dy luajtën lojë mjaft të mirë, mirëpo Kreshniku ishte më i përqendruar dhe më i etur për fitore, dhe atë e realizoi me rezultat perfekt, 3:0. Ai këtë kampionat ishte i pandalshëm sepse me rezultat 3:0 fitoi të gjitha ndeshjet nga 1/16 e finales. Kështu Kreshnik Mahmuti u shpall kampion i kampionatit të parë individual mbarëkombëtar Kosovë – Shqipëri.

Ky kampionat jo vetëm që shënoi emrat e kampionëve të parë, por gjithashtu krijoi një traditë të re në botën e pingpongut në këto dy vende. Nën drejtimin dhe organizimin e shkëlqyeshëm, kjo ngjarje u bë një kujtim i paharrueshëm dhe një hap i rëndësishëm drejt promovimit të sportit të pingpongut në Kosovë dhe Shqipëri.