Në atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të madhe, në Palestrën “Astrit Bytyçi” në Ferizaj u mbajt Turneu i Ditës së Çlirimit për grupmoshat U9, U15 dhe U19, ku morën pjesë rreth 100 pingpongistë nga klube të ndryshme të vendit.
Turneu solli ndeshje cilësore, emocione dhe rivalitet sportiv, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e madh që posedojnë talentët e rinj të pingpongut kosovar.
Në konkurrencën e djemve U9, vendin e parë e fitoi Met Hoxha, i ndjekur nga Jon Matoshi në pozitën e dytë, ndërsa Omar Gashi u rendit i treti.
Te vajzat U15, favoritja Zana Bllaca konfirmoi pritshmëritë duke u ngjitur në vendin e parë. Sara Hoxha shkëlqeu në këtë garë duke humbur 2:3 në finale edhe pse vetēm një pikë i mungoi për të fituar dhe kështu u rëndit e dyta, ndërsa Adena Berisha zuri vendin e tretë.
Kategoria e djemve U15 ishte ndër më të ngarkuarat dhe më konkurrueset e turneut. Rejan Krasniqi vazhdoi serinë e paraqitjeve të mira duke triumfuar në këtë grupmoshë. Një nga ngjarjet më të bukura të ditës ishte paraqitja e Arijon Krasniqit, i cili, ndonëse i grupmoshës U11, arriti të renditet i dyti, ndërsa Imran Duraki përfundoi në vendin e tretë.
Në kategorinë U19 për vajza, Adea Kulla doli fituese duke e mundur favoriten e kësaj grupmoshe Taibe Ruliqë në çerekfinale, para Anisa Domanikut në vendin e dytë dhe Tuana Gacaferit në të tretin.
Ndërkaq, te djemtë U19, Akil Mahmuti u shpall kampion i turneut, duke lënë pas Adriatik Malokun në vendin e dytë dhe Ylber Bekën në të tretin.
Federata e Pingpongut e Kosovës ndau shpërblime dhe mirënjohje për fituesit e tri vendeve të para, ndërsa turneu shërbeu si një festë e sportit, rinisë dhe vlerave që përfaqëson Dita e Çlirimit.