Të shtunën, në Palestrën “Astrit Bytyçi” në Ferizaj, u dha pika e fundit e një sezoni të jashtëzakonshëm në Ligën U15 për Meshkuj. Me zhvillimin e xhirove 13 dhe 14, u përcaktua edhe renditja përfundimtare e kampionatit!
TTC FERIZAJ KAMPIONE E PAMPOSHTUR
KPP TTC Ferizaj e ka përmbyllur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u shpallur kampion i Ligës U15 M me një bilanc perfekt prej 14 fitoreve në 14 ndeshje.
Ekipi ferizajas e mbylli kampionatin me 28 pikë, plot 5 pikë më shumë se vendi i dytë, duke konfirmuar dominimin e tij gjatë gjithë sezonit. Në xhiron e fundit, TTC Ferizaj e vulosi sezonin me fitore 3–1 ndaj KPP KVPP Prizreni.
KPP PRIPING NË VENDIN E DYTË
Vendin e dytë e siguroi KPP Priping, me 23 pikë, duke zhvilluar gjithashtu një sezon të suksesshëm. Në dy ndeshjet e fundit, Priping regjistroi dy fitore bindëse, 3–0 ndaj KPP Istogu dhe 3–0 ndaj KPP Ahmet Hoxha, duke siguruar pozitën e dytë në tabelë.
KVPP PRIZRENI PLOTËSON PODIUMIN
Një garë e ngushtë u zhvillua për vendin e tretë, me KPP KVPP Prizreni, KPP Bifurkacioni dhe KPP Gani Maloku që e përfunduan sezonin me nga 22 pikë.
Përmes rregullit të dueleve direkte, vendi i tretë i takoi KPP KVPP Prizreni, i cili regjistroi tri fitore në katër përballjet direkte ndaj dy ekipeve rivale.
Gjithashtu edhe e diela solli një ditë të ngjeshur me gara dhe rezultate të rëndësishme në Kampionatin e Kosovës në pingpong. Në Ligën e Parë F, gara për kreun mbetet e hapur mes KPP Gani Maloku dhe KPP Shkolla Ahmet Hoxha F, të dyja me nga 21 pikë. Në Ligën e Parë M, KPP Ponte Prizreni vazhdon me bilanc perfekt prej 13 fitoreve, ndërsa KPP Gani Maloku mban vendin e dytë me 24 pikë.
Në Ligën e Dytë B, KPP Llapusha e përmbylli sezonin e rregullt pa humbje, me 12 fitore nga 12 ndeshje, ndërsa KPP Istogu siguroi vendin e dytë dhe bashkë me Llapushën vazhdon garën në play-off. Ndërkohë, në Ligën e Dytë A, KPP Skenderaj e mbylli sezonin me 14 fitore në 14 ndeshje, ndërsa KPP Ulpiana siguroi pozitën e dytë dhe kualifikimin në play-off.
Bashkangjitur gjeni rezultatet e plota dhe renditjet përfundimtare/aktuale të të gjitha kategorive të zhvilluara gjatë kësaj jave: Ligës U15 për Meshkuj, Ligës së Parë për Femra dhe Meshkuj, Ligës së Dytë A dhe Ligës së Dytë B.